Kurti i përgjigjet deputetes së PDK-së për ecurinë e emërimit të ambasadorëve të rinj
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi e ka pyetur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se deri ku kanë arritur procedurat në emërimin e ambasadorëve të rinj dhe a do të jenë të emëruar politik apo të karrierës.
“Pyetja ime lidhet me emërimin e ambasadorëve të rinj, e dini që janë bërë më shumë se dy muaj nga shkarkimi i ambasadorëve që kanë qenë të emëruar me çelës politik. Si rrjedhojë ne kemi qendrat kryesore evropiane që janë pa ambasadorë dhe kjo shkakton krizë diplomatike për vendin tonë. Deri ku kanë arritur me procedura në emërimin e ambasadorëve të rinj dhe a do të jenë të emëruar politik apo të karrierës”, ka thënë Musliu-Shoshi gjatë seancës së sotme në Kuvend, ku prezent është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili është kthyer në Kosovë pas vizitës në Greqi.
Kurti iu përgjigj Musliu-Shoshit duke i thënë se MPJ dhe qeveria janë në periudhën e reformimit të brendshëm dhe se tërheqja e ambasadorëve do të pasohet edhe me hapa të tjerë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe diasporës sikurse edhe krejt Qeveria është në periudhën e reformimit të brendshëm, tërheqja e ambasadorëve do të pasohet edhe me hapa të tjerë. Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës të cilët mund të jenë kandidatë potencialë për udhëheqjen e misioneve diplomatike. Deri tani ky proces i identifikimit ka rezultuar me 43 diplomatë karriere me grada të larta, të cilët mund të jenë kandidatë potencialë si udhëheqës të misioneve diplomatike të shtetit tonë. Shtatë prej tyre janë me gradën ambasadorë, tre prej tyre aktualisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, katër si të ngarkuar të përkohshëm me punë në misione diplomatike të cilët poashtu llogariten kandidatë potencialë”.
“Me gradën ministër këshilltar janë 17 dhe këshilltarë 19. Procedura e emërimit të ambasadorëve e përcakton disa faza deri në fillimin e ushtrimit të funksionit si udhëheqës të misionit diplomatik. Pas verifikimit dhe plotësimit të kritereve, MPJ i dërgon qeverisë rekomandim për emërim dhe kërkesën për pëlqim, pasi që ta marrim pëlqimin nga qeveria, është Ministrja e punëve të jashtme dhe diasporës ajo që ia dërgon emrin e kandidatit për ambasadorë komisionit për punë të jashtme të kuvendit të Kosovës, ju do të mbani si komision seancë dëgjimore dhe pas kësaj seance ja përcillni rezultatet e dëgjimeve edhe mua por edhe presidentes dhe ministres dhe më pas presidentja vendos nëse kandidatja ose kandidatja pranohet. Emërimi bëhet me dekret të presidentes”,është përgjigjur kryeministri Kurti.