Kurti i quan “luftëtarë të dalluar” liderët e UÇK-së në Hagë

01 qershor 2022 | 14:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur të mërkurën për liderët e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, është pyetur nëse do t’i vizitojë ata në Hagë, njëjtë siç ka vepruar homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

Kurti ka thënë se krerët e UÇK-së, të cilët ai i ka quajtur “luftëtarë të dalluar të UÇK-së” janë duke u mbajtur ë Hagë në një paraburgim të stërzgjatur.

“Unë kam konsideruar që më e rëndësishmja për fazën nëpër të cilën kalojmë, për Gjykatën Speciale, që nuk është e lëvzhdueshme për nga transparenca, të kontaktoj, komunikoj, diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që janë në Hagë e po mbahen në paraburgim të stërzgjatur. Mbase edhe mund t’i vizitoj, por po tregoj çka është më e rëndësishme të bëj unë si kryeministër. E kjo është komunikimi dhe diskutimi me avokatët e mbrojtjes të cilët i kanë klientët e tyre ndaras të cilët paguhen shumë nga Republika e Kosovës, e në anën tjetër që të gjithë të pandehurit konsiderohen së bashku, nga Prokuroria për të keq, edhe nga ana e Republikës së Kosovës që ata i njeh si luftëtarë të dalluar të UÇK-së”, ka thënë Kurti.

Më tutje, ai ka thënë se avokatët duhet ta përgatisin mirë mbrojtjen e tyre në atë formë që mbrojtjet të mos dalin kundër njëra-tjetrës.

“Avokati ka prioritet klientin e vet individualisht, por është Republika e Kosovës, qeveria dhe unë si kryeministër që e kuptojmë se do bëhet mirë për ata që janë në paraburgim të zgjatur, atëherë kur do bëhet mirë për të gjitha ata. Për secilin do bëhet mirë, kur të bëhet mirë për të gjithë ata. Është e rëndësishme që mbrojtjet e të pandehurve të mos shkojnë në dëm të njëra tjetrës. Në pyetje atje nuk janë vetëm individët. E dini që qysh në verën e 2020-ës, unë kam paraqitur kritikën dhe kundërshtimin tim për atë që është quajtur ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Merreni me mend, që fillon në marsin e vitit 1998, kur ka ndodhë ‘Epopeja e UÇK’-së. Kam bërë edhe kritika të tjera, dhe dua ta kem qasjen e përgjithshme të shtetit dhe Qeverisë time për atë që është interes të përbashkët”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka reaguar për ecurinë e…