Kurti i reagon kryeministres serbe: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo ‘Kosova e Metohija’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Londër.
Në fjalën e tij para të pranishmeve ku po marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të vendeve të Ballkanit, Kurti tha se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe.
“Ne nuk kemi lidhje me federatën ruse, ne u kemi vendosur sanksione Rusisë. Ne duam që Ukraina të fitoj luftën dhe ne kemi nevojë që Evropa demokratike dhe bota të shohin disfatën e Kremlinit dhe Putinit. Kështu që ne nuk kemi bashkëpunim me ta, edhe pse ata do të donin, por ne nuk duam”, tha Kurti.
Kurti ka theksuar tutje se emri i vendit të tij është “Republika e Kosovës” e jo “Kosova e Metohija” siç u tha këtu.
“Vendi im quhet Republika e Kosovë, jo si i është referuar këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja në këtë rrugë do të merrja shumë kohë, pasi pos Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica Rashka dhe Lugina e Preshevës. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, ka thënë Kurti.