Kurti i thotë ambasadorit turk se do ta shqyrtojë çështjen e vendosjes se ambasadës në Izrael
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, me të cilin ka biseduar për prioritetet e qeverisë se re, e cila pritet të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku partia e Kurtit ka dalë fituese.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.
Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:
Sot, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyrat e Lëvizjes priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çagri Sakar, dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Koseoglu.
Ambasadori uroi kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje. Kryetari Kurti e falënderoi ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.
Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.
Në fund, të dy u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona mike.