Kurti i thotë jo takimit të Ramës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot do ta zhvillojë një takim informal me krerët e rajonit dhe komisionarin për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhely, lidhur me Procesin e Berlinit.
Por, në këtë takim nuk do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili theksoi se Kurti nuk mund të marrë pjesë për shkak se më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.
Kryeziu potencoi se kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor të këtij viti.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, shkroi Kryeziu.