Kurti ia hoqi taksën Serbisë dhe ia vuri Shqipërisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak çastesh, në llogarinë e vet në “Facebook”, e ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij më të fundit që qytetarët e Shqipërisë që vijnë në Kosovë të dërgohen në karantinë për shtatë ditë. Po ashtu, presidenti ka thënë se Kurti i ka hapur derën Serbisë në njërën anë e ia ka mbyllur Shqipërisë në anën tjetër. Ai i ka quajtur vendimet e tij absurde dhe e ka cilësuar Kurtin “uzurpator”.
Komenti i tij i publikuar në “Facebook”, pa ndërhyrje nga redaksia e gazetës “Epoka e re”:
Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.
Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! HTH