Kurti ia refuzoi takimin, Rama: Do flas nesër në Prishtinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka pranuar që të komentojë deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se i ka kërkuar kreut të qeverisë shqiptare që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 6 korrik, kur Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të turit që do të zhvillojë në Ballkan. Përndryshe, Kurti ka thënë se nuk do të pranojë të zhvillojë takime të tjera me Ramën.
Gjatë një deklarate për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama ka thënë se për këtë çështje do të flasë nesër kur të jetë në Prishtinë.
“Nuk kam lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendimin e studentëve. Sa i përket vajtjes në Prishtinë dhe të gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, ka thënë Rama.
Në një konferencë me gazetarët, Kurti ka bërë me dije se me rëndësi konsideron mbledhjen e përbashkët për firmosjen e marrëveshjeve të lënë përgjysmë pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive më 14 qershor, dhe jo takime të tjera.
“Jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E di që do vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Miqësisht i kam kërkuar që meqenëse do vijë që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua pa arsyeshëm ndonëse ishte parashikuar më 14 qershor në Gjakovë. 13 marrëveshje do duhet të nënshkruheshin të cilat tashmë kanë ngelur në sirtar. Në mënyrë që këto marrëveshje të nënshkruhen, unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar e t’i zbatojmë një e orë e më parë. Nëse kryeministri Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, unë ngelem te qëndrimi që ja kam dhënë se për takimin e ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejt, ne takohemi shumë shpesh. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por dhe demokracia e paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet Kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë. Por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye. Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, ka thënë Kurti.
Rama do të zhvillojë një tur në rajon më 6 dhe 7 korrik për të takuar homologët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi si dhe presidentin e Serbisë.
Turin do ta nisë nga Shkupi dhe pas takimit me Dimitar Kovaçevskin do të udhëtojë drejt Prishtinës ditën e nesërme ku kishte planifikuar të takohet me Albin Kurtin. Nuk dihet nëse ky takim do të zhvillohet pas deklaratës së sotme të Kurtit.