Kurti ia thotë edhe Kovaçevskit: Nënshkrimi i marrëveshjeve me Serbinë nënkupton pranim, e për rrjedhojë edhe zbatim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u takuan sot në Vjenë të Austrisë për t’i relaksuar raportet pak.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se përveç tjerash, ata kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues”, njoftoi ZKM-ja.
Në margjina të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kurti dhe Kovaçevski folën për raporte të mira ndërshtetërore dhe për “përkushtimin e dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat përgjatë këtij rrugëtimi”
“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si në planin bilateral ashtu edhe atë rajonal në fusha me interes të ndërsjellë, me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve. Në këtë kontekst u diskutua edhe për sektorin e energjisë, potencialin që dy vendet kanë edhe strategjitë tyre mbi këtë sektor”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.