Kurti: Idetë për ndarje e korrigjim kufijsh, përpjekje për mashtrim
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se idetë që po plasohen në opinion për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve janë mashtrime të reja.
“Arsyeja pse mendojmë se bëhet fjalë për mashtrim të ri është se ideja për shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve më shumë është në funksion të një lloj krijimi të atmosferës, ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili nuk do të ndodhë”, ka thënë Kurti gjatë një debati me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ku është diskutuar rreth problemeve të atjeshme dhe zgjidhjeve që mund të priten.
Sipas tij, motivet e palëve në dialogun e Brukselit nuk kanë të bëjnë as me serbët në Kosovë dhe as me shqiptarët në Serbi, porse ndërlidhen me motivet e Beogradit që sa më shpejt të përafrohet me BE-në, kurse për lidershipin e Kosovës që të jetë sa më larg Gjykatës Speciale.