Kurti: Infermieret e infermierët lanë familjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, ka thënë se infermieret e infermierët janë ata që lanë shtëpitë e familjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish me punën e tyre.
“Po bëhen 1.500 orë prej momentit të parë që filluan luftën kundër virusit Corona. Infermieret e infermierët tanë janë ata që lanë shtëpitë e familjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish me punën e tyre. Në ditën ndërkombëtare të infermierëve dua t’i falënderoj të gjithë këta. Janë mijëra të tillë, anembanë Kosovës, që për tre muaj sakrifikuan shëndetin e tyre që të shpëtojnë jetët tona”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se i gjithë populli u është falënderues infermiereve dhe infermierëve.
“Ju jemi falënderues i gjithë populli i Kosovës. Ata që janë prekur nga ky virus e kanë të qartë se sa të domosdoshëm jeni, kurse ne të tjerët lutemi e po punojmë që të mos ju nxjerrim më shumë punë. Bashkë do t’ia dalim!”, ka shkruar kryeministri ën detyrë, Albin Kurti.
(Q.R / Epoka e re)