Kurti informohet për ardhjen e 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë

14 mars 2022 | 17:03

Vendosja e përkohshme në Kosovë e njësisë Policore të Specializuar Rezervë të forcës policore shumëkombëshe, Forca Evropiane e Xhandarmerisë (EUROGENDFOR), ishte tema e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.

“Kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtarëve nga Portugalia (42), Franca (28) dhe Italia (22), që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS) dhe do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave, si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u bisedua edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit.

“Kryeministri ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Ndërsa z. Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë të gjithë e dinë se objektivi kryesor i gjigantit…