Kurti insiston se në deklaratën për të pagjeturit përmendet termi ‘të zhdukur me dhunë’

06 prill 2023 | 12:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 4 prill, përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet ‘persona të pagjetur’, ‘të zhdukur’, ‘që mungojnë’, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”,ka thënë Kurti në një prononcim për media.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar të mërkurën se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, kanë arritur pajtueshmëri për deklaratën për persona të pagjetur, por nuk ka sqaruar nëse aty përmendet termi “të zhdukur me dhunë”.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit në Bruksel me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka deklaruar se ky term nuk është pranuar nga pala serbe.

“Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë”, ka thënë ai.

Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër janë pajtuar për aneksin për zbatimin e saj.

Aty parashihet edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, ku përfshihet edhe marrëveshja për personat e pagjetur.

Në prill të vitit 2022, Bashkimi Evropian kishte thënë se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është “harmonizimi i dy fjalëve”.

Termi “me dhunë” për zhdukjen e personave gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, në të cilin ka insistuar pala e Kosovës dhe është refuzuar nga Serbia, ka bllokuar deri më tash arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz, janë zhvendosur mbi 800 mijë, ndërsa janë zhdukur rreth 6 mijë. Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1 600 persona. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasi kanë qëndruar rreth një orë, deputetët e Listës Serbe…