Kurti: Integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO janë prioritetet tona si qeveri e re
Në Samitin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Londër, kryeministri Albin Kurti, ka pasur rastin të takohet me udhëheqësit e saj dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se po bëhen tri javë nga votimi në Kuvend i qeverisë së re.
“Gëzohem që në këtë ditë pati rastin të flas për rëndësinë e investimeve për ekonominë, ndërmarrësinë e të rinjëve tanë sidomos në teknologjinë informative, infrastrukturën që ndërlidh e mundëson zhvillim, raportet me Serbinë dhe parimin e reciprocitetit etj. Punësimi e drejtësia në njërën anë, dhe Integrimi Evropian e anëtarësimi në NATO në anën tjetër, janë prioritetet tona si qeveri e re e Kosovës. Ne do t’i forcojmë qytetarët tanë ekonomikisht dhe do e përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë politikisht”, ka shkruar Kurti.
Ai ka folur edhe për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.
“Tashmë me Republikën e Shqipërisë kemi 77 marrëveshjeve të arritura – do t’i shtojmë energji e dinamikë të re implementimit të tyre. Si Qeveri e Kosovës do të bashkëpunojmë edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në projektet e interesit të përbashkët duke synuar edhe mbledhje të përbashkëta të qeverive me ta”, ka shkruar kryeministri Kurti.
/Epoka e re/