Kurti: Intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm

24 mars 2022 | 13:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për bombardimet e NATO-s, ka thënë se ndërhyrja e tyre ishte e drejtë dhe e domosdoshme.

Ai ka thënë se 23 vjet më parë 19 vendet e NATO-s u bashkuan për të ndalë gjenocidin që pati nisur në Kosovë nga regjimi i Beogradit.

“Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. Intervenimi i NATO-s ishte i drejtë dhe i domosdoshëm. Shqiptarët iu përgjigjen agresorit me gjuhën e vetme që e kuptonte, çmimi ishte i lartë ndërsa rrugë tjetër nuk kishte”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri shtoi se gjersa dështonin një pas një përpjekjet diplomatike evropiane dhe amerikane për gjetjen e një zgjidhje paqësore, në Kosovë pothuajse çdo ditë hapeshin dhjetëra varre për fëmijë, pleq, gra e burra të paarmatosur që vriteshin masakroheshin e digjeshin në pronat e shtëpitë e veta.

“Qindra masakra janë kryer në Kosovë në periudhën 1998-1999. Falë ndërhyrjes së NATO-s gjenocidi në Kosovë u ndal”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se kjo ndërhyrje ishte legjitime.

Kurti shtoi se Serbia edhe 23 vjet pas luftës nuk kërkon falje për krimet që ka kryer në Kosovë.

“23 vjet pas luftës fqinji i ynë verior as nuk kërkon falje as nuk do që të kuptoj e t’i pranoj përmasat e krimeve të veta në Kosovë Në vend që të hap arkiva shtetërore që do të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë, pushtetarët e Serbisë arsyetojnë veprimet gjeoncidale të Millosheviqit dhe e fajësojnë NATO-n për bombardime”, ka deklaruar Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të gjysmëfinales “play-off” për Botërorin e Katar 2022,…