Kurti iu kërkon më shumë angazhim aktivistëve të partisë: Ka tendencë për grupacione
Kryeministri Albin Kurti në një mbledhje me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje tha se në disa qarqe në partinë e tij ka tendenca për t’u krijuar “grupe” dhe “grupacione”.
Kurti tha se “këto grupacione duhet të tejkalohen”.
“Për secilin e secilin nga ne këtu, ashtu siç ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e mbështesin, ka edhe njerëz që e kritikojnë. Ka edhe tendenca për t’u krijuar grupe, grupacione në mbështetje të një kandidature të mundshme, apo në mbështetje të dikujt tjetër. Por për sa kohë që na bashkon Lëvizja dhe ideali ynë kombëtar e shoqëror, këto grupacione duhet të tejkalohen”, tha Kurti
Ai foli me theks të veçantë për zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi nga të fundit LVV-ja nuk doli mirë. “Ne kemi fituar zgjedhjet më 6 tetor 2019, kemi fituar përsëri me 50.2% të votave më 14 shkurt2021, e me siguri do të fitojmë edhe zgjedhjet e tjera më së voni në vitin 2025”.
“Nuk bën të shkojmë në 2025-ën pa e pasur të përcaktuar qysh përpara se cilët do të jenë kandidatët tanë”, tha Kurti.
“Nëse kritika apo indiferenca e brendshme bëhet zakon, atëherë ta vështirësojnë fitimin e zgjedhjeve lokale”, tha ai.
Kurti i ftoi aktivistët e partisë t’i marrin shembull zgjedhjet qendrore kur ai mbështetej pa kontestim.
“Merrni shembull nga zgjedhjet qendrore, aty ku bashkimi rreth një udhëheqësi ka sjellur fitore masive”, tha Kurti.
“Angazhimi politik do të thotë aktivitet i dendur”, tha ai, duke iu kërkuar aktivistëve të angazhohen në organizimin e takimeve me qytetarë, në “lexim, studim e analizë”.
“Organizoni takime, thirrni deputetët e ministrat e zëvendësministrat e sa herë të kem mundësi do të vij edhe unë vetë”, tha Kurti.