Kurti: Jam i gatshëm të shkojë në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se është i gatshëm të shkojë në Bruksel në takimin e ftuar nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.
Kurti ka thënë se është i gatshëm të shkojë në Bruksel për t’i paraqitur faktet rreth rrëmbimit të policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.
Këtë deklaratë, Kurti e ka dhënë në një konferencë për medie, ku ka dhënë detaje rreth vizitës që ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari ua ka bërë policëve të rrëmbyer.
“Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit te Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike”.
“Për bindjen time, presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes bazike. Dhe tani i kemi gjithë këto kriza. Ai ka deklaruar më 24 prill që Marrëveshjen bazike e pranon vetëm në koncept, dhe jo në përmbajtje, çka është në kundërshtim me atë që ka thënë më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, dhe e dyta ka thënë se zbatimin e paramendon me kufi, zbatim i limituar, që është sërish në kundërshtim”, ka thënë Kurti.