Kurti: Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se pas mesnatës iu bashkuan gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve.
“Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se qeveria nën drejtimin e tij më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët.
“Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tonë”, ka shkruar Kurti.