
Kurti: Jemi të interesuar t’i formojmë institucionet sa më parë, menjëherë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se janë të interesuar që të ecin përpara me formimin e institucioneve “menjëherë”, pavarësisht se dje nuk i kishin 61 vota për ta kaluar një raport të komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve në seancën konstituive të Kuvendit.
Ai ka pasur akuza për partitë e tjera jopartnere për bllokimin e seancës konstituive të Kuvendit të martën.
“Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, edhe atë sa më parë, menjëherë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se si qeveri në detyrë janë “shumë të vëmendshëm” dhe “të përgjegjshëm” që të mos lejojnë “vakum institucional”, siç tha, “jo për një ditë, jo për një orë, por as për një minutë të vetëm”.
“Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon”, ka thënë Kurti.
Seanca konstituive e Kuvendit dje nuk vazhdoi më shumë se deri te procesi i votimit të raportit të komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve. 52 deputetë kanë votuar për këtë raport, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Ende askush nga LV-ja nuk i është përgjigjur pyetjes se si nuk i pati Kurti 61 votat e nevojshme në këtë rast?
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë votuar kundër këtij raporti, pasi kanë thënë ndryshe do ta shkelnin ligjin. Thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas Ligjit të ri për qeverinë.
LV-ja ka pretenduar se në komisionin e përkohshëm është paraqitur një letër e dorëheqjes së Kurtit nga posti i kryeministrit, por këto parti nuk e kanë konsideruar akt të njëmendtë dorëheqjeje. Në fakt kështu mendojnë edhe shumë juristë.