Kurti: Jemi të shqetësuar për shkak se në kohën e pandemisë është rritur dhuna në familje (Video)
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dënuar rritjen e rasteve të dhunës në familje, në kohën e izolimit për shkak të pandemisë.
Kurti përmes një video-mesazhi të cilin e ka publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se dhuna në familje duhet të raportohet.
Sipas tij, institucionet duhet të rrisin reagimin në trajtim të rasteve.
“Si drejtues të institucioneve jemi të shqetësuar se me situatën e vetizolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit është rritur edhe dhuna në familje. Dhuna asnjëherë nuk ka arsyetim. Për ne është e papranueshme dhe e dënueshme. Qeveria jonë e ka rritur buxhetin e strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në vlerën 900 mijë euro”.
“Jemi duke parë format për shtimin e fondeve të programeve kundër dhunës në familje, çfarëdo forme që merr ajo: fizike, psikike apo seksuale”.
“S’është kollaj kur të jetosh do të thotë veçse të banosh, i mbyllur, në hapësirë të kufizuar, në stinën e bukur të pranverës. Në këtë kohë, qëndrimi në shtëpi na shpëton nga virusi, por dhuna nuk guxon të izolohet si çështje private brenda shtëpive”.
“Ajo duhet të raportohet e institucionet përgjegjëse ta rrisin reagimin në trajtimin e rasteve. Çdo rast i dhunës është rast urgjent. Virusi nuk mund ta shtyjë për më vonë ndalimin dhe dënimin e dhunës. Prandaj rrini në shtëpi, rrini të pastër, rrini në distancë, mbështetni njëri-tjetrin dhe ndani punët bashkë”, ka thënë Kurti përmes video-mesazhit.
https://www.facebook.com/albini2017/videos/962801187450246/