Kurti jep detaje nga vizita zyrtare në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje rreth takimeve të cilat i ka zhvilluar të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.
Kurti nëpërmjet një statusi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar për takimet që ka zhvilluar me përfaqësuesit kryesorë të Bashkimit Evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
“Ditën e dytë të vizitës në Bruksel bashkë me zëvendësit e mi z. Bislimi dhe znj. Gërvalla e nisëm në selinë e Aleancës Veri-Atlantike ku na priti sekretari i përgjithshëm i saj z. Jens Stoltenberg me bashkëpunëtorët e tij. Më pas u rikthyem në Komisionin Evropian për tri takime të ndara: me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, z. Josep Borrell me të cilin pata edhe një drekë pune dhe konferencë të përbashkët për medie, për të vazhduar me komisionarin evropian për fqinjësi dhe zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe, Presidenten e Komisionit Evropian znj. Ursula von der Leyen. Në fund bëra një prezantim dhe debat para Komitetit të Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme (AFET) të udhëhequr nga kryetari i tij, z. David McAllister me të cilin pata edhe një takim të veçantë. Fjalimi im që theksonte rëndësinë e historisë në politikë, të barazisë në dialog, të reformave në qeverisje dhe të BE-së si vlerë, u pasua nga pyetje e komente të shumta e fort të dobishme të europarlamentarëve të pranishëm”, ka shkruar Kurti.