Kurti ka disa fjalë për rastin e të miturës nga Drenasi
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar ndaj rastit të abuzimit seksual të se miturës nga Drenasi.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kulturën e mosndëshkimit e kemi peshqesh nga një lloj politikanësh që e kanë qeverisur deri me sot vendin.
Postimi i plotë i Kurtit:
Rasti i abuzimit dhe dhunimit seksual të një qytetareje në moshë minore, i cili u publikua së fundmi, më ka tronditur. Abuzimi i saj, fillimisht prej mësuesit e më pas prej policit ku kishte shkuar të gjente mbrojtje, të trishton. Kjo është gjendja ku e kanë prurë shtetin dhe shoqërinë njerëzit që e kanë bërë njësh detyrën zyrtare e profesionale me krimin e kthyer në rutinë të përditshme, njerëzit që bëjnë çfarë të tjerët as s’e imagjinojnë dot vetëm pse munden, njerëzit që e dinë se ata nuk i ndjek ligji kurse viktimat e tyre nuk do t’i mbrojë ligji.
Ne duhet të tregojmë se shumica jonë nuk e duron abuzimin e atij që ndodhet në pozitën e të dobëtit. Shumica e mësuesve, shumica e policëve, shumica e mjekëve, shumica e qytetarëve, duan dhe do të solidarizohen me më të dobëtit. Prandaj e përkrah protestën qytetare, e më vjen keq që nuk jam aty, sepse gjendem në një vizitë zyrtare në Seul të Koresë së Jugut.
Kulturën e pandëshkueshmërisë, kulturën e abuzimit me pushtetin, e kemi peshqesh nga një lloj i caktuar politikanësh që kanë qeverisur deri më sot. Pushteti i tyre krijon lejen e abuzimit me të dobëtin, të varfrin, gruan, vartësin, minoritarin, sipas modelit mujshar të pushtetit të vjetër.
/Epoka e re/