Kurti ka disa këshilla për popullin ukrainas: Kujdes me privatizimin pas luftës
Kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve të Ukrainës UNIAN.
Kreu i ekzekutivit në këtë intervistë është ndalur edhe te çështja e përfundimit të luftës. Ai i pati disa këshilla për popullin ukrainas që të kenë kujdes, pikë së pari, në privatizimin.
“Bazuar në përvojën tonë, unë kam një supozim se pas luftërave shkatërruese, ka gjithmonë një kërkesë për privatizim në shkallë të gjerë dhe ju duhet të kuptoni se kjo qasje mund t’ju shkatërrojë ekonomikisht. Kujdes nga korporatat e mëdha që duan të blejnë potencial zhvillimi – objekte prodhimi, tokë ose burime të tjera shumë lirë – sepse jeni të shkatërruar”, thotë Kurti.
Ai thotë më tej se kur njerëzit janë shumë të etur për investime, kjo mund të abuzohet.
Ndërsa së dyti, ai këshillon ukrainasit që t’i koordinojnë aktivitetet e donatorëve në vend dhe të rregullojnë grantet që marrin. “Duhet të kesh programin tënd me strategji, projekte, aktivitete dhe pastaj t’u thuash donatorëve çfarë të duhet, kërkesa duhet t’i paraprijë ofertës dhe jo anasjelltas”.
“Këtu janë dy këshilla: jo privatizimit në shkallë të gjerë dhe sa herë ka ndihmë dhe donatorë, ju kontrolloni dhe pyesni se çfarë saktësisht ju nevojitet”.