Kurti ka pritur në zyrë enveristët e Shqipërisë

11 korrik 2022 | 08:35

Kryeministri i vendit Albin Kurti, dy javë më parë, ka pritur në kryeministri një grup enveristësh nga Shqipëria, përfaqësues të Komitetit Kombëtarë të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, Veli Myftari, Elidjana Canaj dhe Ksenofon Krisafi.

Ata i dorëzuan kryeministrit Albin Kurti një dhuratë, “Distinktivin e 65-vjetorit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ”.

Në njoftimin e tyre thanë se Kurti shprehu falënderim e mirënjohje dhe se kryeministri mbështeti idenë për bashkëpunim pas zhvillimeve të fundit në agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tyre, me Kurtin diskutuan që qëndrimet e tyre si organizatë të jenë në përputhje me ndryshimet e kohës pasi Rusia e sotme nuk është BRSS-ja që e luftonte “antifashizmin”.

“Mbas falënderimeve të ndërsjella edhe z. Albin Kurti mbështeti nevojën e bashkëpunimit të organizatave tona sepse ne kemi Histori te përbashkët, kemi të sotme të përbashkët dhe të ardhme të përbashkët! Jemi nje Komb! Situatat në botë ndryshojnë! Qëndrimet tona gjithashtu do t’u përgjigjen ndryshimeve! Dje Bashkimi Sovjetik ishte shembulli i shpresës, i besimit dhe vlerësohej për qëndrimet Antifashiste e antinaziste! Ishte në krye të luftërave për Liri, ishte pjesë e rëndësishme e koalicionit antifashist botëror! Por sot Rusia është pozicionuar agresive e pushtuese ndaj Popullit të Ukrainës! Qëndrimi i saj sot nuk është Ai i ish BRSS!”, thuhet në njoftim.

Përveç me Kurtin, ky grup i enveristëve në Kosovë është takuar edhe me Xhavit Jasharin, kryetar i Organizatës së familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, Fadil Shurdhën, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, me Faton Klinakun, kryetar në detyrë i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së dhe me ish-luftëtarin e UÇK, Ismet Sylejmani.

Organizatat e dala nga lufta kanë njoftuar se janë marrë vesh që më 20 korrik 2022 të festojnë së bashku Ditën e Veteranit dhe 65-vjetorin e krijimit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar në Tiranë.

Madje në revistën që e botojnë “Kushtrim brezash” vizitën me kryeministrin Albin Kurti e cilësuan shumë të suksesshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Popullsia e botës pritet të arrijë në 8 miliardë njerëz…