Kurti ka punë më të rëndësishme sesa të merret me lojërat e Thaçit

31 mars 2020 | 09:06

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka komentuar zhvillimet politike në vend. Në një lidhje direkte në Klan Kosova, ai ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po i linçon aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa presidenti Hashim Thaçi po ngjason me një fëmijë të llastuar. “Mendoj se një deklaratë e tillë e Isa Mustafës është bërë me qëllim të shpërqendrimit të vëmendjes nga ajo çfarë e shkaktoi subjekti i tij – e la Kosovën pa qeveri në një kohë pandemie. Kosovën e la të braktisur nga qeveria. Është për keqardhje sepse deklarata të tilla kemi pasur edhe më herët karshi LV-së. Unë prej se e mbaj mend LV-në, mbaj mend deklarata që nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të LV-së, por ne jemi bërë imunë ndaj tyre. Vëmendja kolektive nuk është aq e shkurtër sa e mendojnë kundërshtarët e LV-së. Disa nga zyrtarët e lartë të LDK-së vazhdimisht janë përkujdesur që t’i theksojnë dallimet dhe mos t’i binden Kurtit. Kjo s’ka të bëjë vetëm me një raport të Veliut, por kjo ka ndodhur vazhdimisht. Po të mos ishte kjo, jam i bindur se LDK-ja do ta bënte hapin e radhës. Kjo nuk ishte dhe nuk është diçka që e prisnim, sidomos nga një figurë që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në aktivitete politike. Më vjen keq që edhe Isa Mustafa po bëhet pjesë e linçimit të vazhdueshëm ndaj aktivistëve tanë”, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se nuk e di se pse kundërshtarët ushqejnë fobi dhe urrejtje aq të madhe ndaj LV-së. Sipas tij, këto akuza janë bërë ndaj aktivistëve më paqësorë të LV-së. “Deklarata e Agim Bahtirit është arsyetuar nga vetë ai dhe e ka korrigjuar. LV-ja nuk e mbështetë asnjëlloj thirrje për dhunë. Ky është qëndrimi zyrtar. Qëndrimi zyrtar i LV-së është: të vetmet metoda që do t’i përdorim janë ato ligjore”, ka treguar Abrashi.

Ai ka folur edhe për ftesën që Thaçi ia ka bërë Kurtit që të takohen më 1 prill. Sipas tij, Thaçi po ngjason me një fëmijë të llastuar. “Para disa ditësh Kurti në një qëndrim të publikuar nga Thaçi ka kërkuar që t’i shpallë zgjedhjet pasi ta tejkalojmë situatën e pandemisë. Nuk i kuptoj lëvizjet e Thaçit sepse shpeshherë më ngjasojnë me një fëmijë të llastuar. Kurti ka punë shumë më të rëndësishme sesa këto lojërat që i bënë Thaçi. Ky takim është i panevojshëm dhe presidenti duhet të sillet në përputhje me Kushtetutën. Me Thaçin gjithçka është e mundur, po flasim për personin që vazhdimisht e ka shkelur Kushtetutën. Kushtetuta e qartëson se pas rënies së qeverisë vendi shkon në zgjedhje. Këtë nuk e deshëm ne, këtë e bënë ata së bashku dhe nuk na kanë lënë alternativë tjetër”, ka thënë Abrashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, sërish…