Kurti këmbëngul: Ka marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh

08 maj 2020 | 08:26

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, edhe mbrëmë në emisionin “Opinion” të TV Klanit insiston që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë marrëveshje sekrete me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për marrëveshje për Kosovën. E, sipas tij, ndërmjetësuesi, emisari Richard Grenell, më të rëndësishme e ka kohën e marrëveshjes sesa përmbajtjen. ”Padyshim që ambasadori Grenell e ka më të rëndësishme kohën e marrëveshjes sesa përmbajtjen e saj dhe kjo qasje e shtyn atë të bëjë trysni. Është një marrëveshje, sipas së cilës, Kosova do të duhej të hiqte dorë nga komunat në Veri të lumit Ibër, Serbia do të fitonte edhe ndonjë komunë shtesë me serbë në jug. Për kompensim thuhet se Kosova do t’i merrte disa fshatra në Luginën e Preshevës, por kurrsesi Bujanovcin dhe Preshevën”, ka shprehur mendimin Kurti.

Po ashtu, ai ka shprehur bindjen se një marrëveshje sekrete ekziston por, lidhur me të, ai nuk ka përmendur emrat e atyre që ia kanë kumtuar një gjë të tillë. ”Ata kanë bërë marrëveshje sekrete. Marrëveshja sekrete është sekrete. Unë s’e kam. Po ta kisha do ta tregoja. Unë nuk mendoj se kufiri i imagjinatës tuaj është Enver Hoxha. Një bashkëpunëtor i presidentit të Kosovës ka biseduar me njërin prej njerëzve më të afërt të mi e, pak a shumë, këtë gjë ia ka paraqitur si një gjë shumë të favorshme për Kosovën dhe një gjë e tillë do të kalonte në një referendum. Nuk kam pse jua them unë emrat. Ata kanë pasur takim gjysmëformal. Këtë e kam shpjeguar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

 (B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka…