Kurti: Kemi ndarë 13 milionë euro për stadiumin e Prizrenit, do ta rijetësojmë edhe rrugën Marin Barleti
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar punimet në rrugën Marin Barleti në Prizren, ku po restaurohen shtëpitë tradicionale për të rikthyer karakterin historik të lagjes.
Ky projekt i Qeverisë, sipas Kurtit ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe rifunksionalizimin e ndërtesave për zhvillimin ekonomik lokal.
Kurti gjithashtu diskutoi për projektin e Stadiumit të Qytetit, për të cilin janë ndarë 13 milionë euro.
E plotë:
Rijetësimi i rrugës Marin Barleti në Prizren, është projekt zhvillimor i Qeverisë që do të rikthejë karakterin historik të kësaj lagje. I pamë nga afër punimet në shtëpitë tradicionale të cilat po restaurohen. Krahas ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, këto ndërtesa po adaptohen për t’u rifunksionalizuar në shërbim të zhvillimit ekonomik e lokal.
Pas restaurimit, do të vazhdojmë me planin e dizajnit urban të lagjes si pjesë integrale e projektit të rigjenerimit të kësaj zone brenda Qendrës Historike të Prizrenit.
Prej aty, mes për mes shatërvanit, nga kultura e trashëgimia e bujshme e qytetit, bisedat i vazhduam për sportin, për futbollin me drejtues, staf e lojtarë të Klubit të Futbollit Liria, skuadrës së fëmijërisë së “Piratit” të klubit spanjoll Mallorca e qendërsulmuesit tonë, Vedat Muriqi, e dashurisë së madh të “Arpaxhikëve”. U mblodhëm në “Korner”, jo për ta ekzekutuar ndonjë goditje nga këndi, por për të bashkëbiseduar për punën që po bëhet për Stadiumin e Qytetit të Prizrenit, të cilin e meriton qyteti dhe tifozët, e që për të kemi ndarë 13 milionë euro.