Kurti: Kemi rritur për 52 për qind buxhetin për FSK-në
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se qeveria nën drejtimin e tij ka rritur për 52 për qind buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Duke folur në seancën e Kuvendit, para votimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, Kurti ka thënë se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në BE si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
“Gjatë qeverisjes sonë i kemi dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre. E kemi rritur për 52 për qind buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Buxhetit të FSK-së po i shtohen edhe mjete në Fondin e Sigurisë. Kemi përshpejtuar blerjet ushtarake dhe blerjet e tjera që lidhen me fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe sigurisë. Kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit. Kemi themeluar një grup punues me qëllim intensifikimin e punës për anëtarësim në NATO. Kemi krijuar mekanizma të rinj për më shumë koordinim të punëve në mes të institucioneve të sigurisë. Miratimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës u jep drejtim institucioneve tona në përpjekje për unifikimin e politikave dhe qëndrimeve të cilat ndërlidhen me interesat shtetërore të sigurisë e për të ndërtuar një të ardhme të sigurt në paqe”, ka deklaruar Kurti.