Kurti: Kërkesa për ta dërguar draftin e Asociacionit në Kushtetuese, absurde
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai në fjalimin e tij para ministrave ka thënë se është për keqardhje mungesa e përkrahjes “nga shtetet demokratike”.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”.
“Dy herë në komitetin për çështje politike dhe demokraci, më 27 mars në Paris dhe me 16 prill në Strasburg”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit, ka vlerësuar se kushti i ri për Kosovën është i padrejtë duke e parë renditjen në indekse ndërkombëtare.
“Në njërën anë Kosova po përparon nga viti në vit në indekse të vlerësuar nga institucione prestigjioze të pavarura, në anën tjetër kemi një sistem ligjor të avancuar për minoritetet dhe një Kushtetutë e cila e ka përmirësuar njëanshëm obligimet që dalin nga instrumentet e Këshillit të Evropës”, ka thënë Kurti
Sipas tij, ky kusht s’përputhet aspak me standardet që ka Këshilli i Evropës (KiE).
“Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm, në këto javët e fundit u përballëm me një kushte të ri i cili nuk ka të bëjë aspak me standardet e zbatimit në këtë organizatë. Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam që ka kryeqytete që tash po kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Kurti.