Kurti kërkon dokument zyrtar për kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti, ka vlerësuar se duhet të bëhet një dokument zyrtar me kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë.
Këtë deklaratë, Kurti e ka dhënë në konferencën e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit me temën “Zëri i Popullit rreth finales së madhe ndërmjet Kosovës e Serbisë”, njofton Klan Kosova.
“Korrigjimi i kufijve, së pari nuk ndodhi me Malin e Zi siç u pati premtuar kur u morën votat e deputetëve në Kuvend dhe së dyti nuk ndodhi as korrigjimi i kufijve me kompromis të dhunshëm me Serbinë. Është mirë që nuk ka ndodhur me Serbinë si kompromis i dhimbshëm”.
“Le të mos shtiremi që nuk kemi marrëveshje me Serbinë, kemi 33 të cilat janë nënshkruar gjatë gjashtë vjetëve të dialogut. Le të bëhemi bashkë dhe t’i trajtojmë këto 33 marrëveshje, sa është shkalla e përmbushjes së tyre dhe cili është ndikimi institucional. Është e domosdoshme që ai raport i cili po mbahet i mbyllur të sillet në agjendë”.
“Është e domosdoshme një seancë që e shqyrton dhe e vlerëson. Le të mos harrojmë që 33 marrëveshje Kosovë – Serbi, nuk ja ka ndryshuar mendjen asnjërit prej pesë vendeve, aq më pak Rusisë e Kinës. Nuk është mirë që të magjepsemi për një marrëveshje të ardhshme ndërkohë që kemi 33”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë mund të arrihen me konsensus.
“Ne e dimë se çka do Serbia, ajo e thotë qartë, thotë përkufizim, kufizim me shqiptarët, praktikisht përmes ndarjes së Kosovës. Por, a e kemi të qartë çfarë duam ne? Në Kosovës, pesë lider politikë, i kanë gjashtë mendime, është e domosdoshme që ne të dakordohemi çka duam karshi Serbisë”.
“Le të diskutojmë që qëllimet tona t’i shndërrojmë në kërkesa të qarta ndaj Serbisë. Unë jam optimist që për kërkesat tona ndaj Serbisë ne mund të arrijmë konsensus. Njohja e Kosovës, zbardhja e të pagjeturve, reciprociteti etj. Pse nuk po e bëjmë një dokument zyrtar me kërkesat tona për Qeverinë dhe Presidentin e Serbisë? Kjo duhet bërë para se të fillojë dialogu. Vetëm më pas, ne do të mundemi të bëjmë dialog të qëndrueshëm për marrëveshje të kalueshme”, ka thënë Kurti. /Klan Kosova/