Kurti kërkon hetim të ri, profesional dhe të pavarur për rastin e Astrit Deharit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar hetim të ri për të ndriçuar plotësisht motivet e vdekjes se aktivistit të kësaj lëvizje, Astrit Dehari.
Kurti ka thënë se drejtësia për Astritin nuk ka alternativë.
“Ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit. Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë. Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë”.
“Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/