Kurti kërkon mbështetjen e mërgatës për peticionin “Duam Zgjedhje”

13 qershor 2020 | 23:16

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar takim virtual me bashkëbisedues nga mërgata për të diskutuar e festuar jo vetëm 21-vjetorin e çlirimit të vendit, por edhe 15-vjetorin e këtij subjekti politik.

Në këtë takim morën pjesë kryetari i LV-së Albin Kurti, sekretarja organizative Vlora Haxhimehmedi dhe deputetja Fitore Pacolli, ndërsa takimi u moderua nga Lirika Komoni, Koordinatore e qendrave në mërgatë.

Vlora Haxhimehmedi duke folur për rritjen e mbështetjes ndaj Lëvizjes njoftoi ndër të tjera edhe shtrirjen më të madhe të LV-së në Kosovë dhe jashtë saj.

Ajo po ashtu foli edhe për historikun e organizimit të Lëvizjes përgjatë 15 viteve të ekzistencës së saj.

Në anën tjetër, Fitore Pacolli u fokusua tek vendimet që Qeveria Kurti kishte ndërmarrë në lidhje me mërgatën, që nga  vendimi për  fillimin e proceduarave për pagesën e Kartonit të Gjelbërt për bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje, te ligji i diasporës dhe për nismën ligjore për votimin e mërgatës nëpër ambasada dhe konsullata, që u propozua nga deputetet e Lëvizjes ditë më parë.

Në fund, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje informoi bashkëbiseduesit nga mërgata për situatën politike në vend, për 100 ditëshin e qeverisë së mirë, për rëndësinë dhe mbështetjen e madhe për peticionin ”Duam Zgjedhje!” si dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Me një interesim të jashtëzakonshëm, mes qindra kërkesash për pjesëmarrje në këtë takim virtual, këtë herë nuk arritëm që t’i përfshijmë të gjithë bashkatdhetarët në këtë bisedë për çka edhe ju kërkojmë ndjesë, ndërkaq ju njoftojmë që së shpejti Lëvizja do organizojë takime të ngjashme përsëri për të cilat do t’ju tregojmë me kohë. Lëvizja Vetëvendosje është përherë falenderuese mërgatës për kontributin dhe rolin pashoq të saj që ka në raport me Kosovën, atdheun tonë të përbashkët”, bëhet me dije në njoftimin e LV-së.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë me dije se…