Kurti kërkon mobilizim nga aktivistët për zgjedhje të reja
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve me qytetarë nëpër komuna në kuadër të fushatës kundër ‘PANhajnisë’.
Sipas tij, përgjatë kësaj fushate janë rritur shumë anëtarësimet e reja në Vetëvendosje.
“Ne nuk e pranojmë korrupsionin, ne nuk e durojmë korrupsionin, andaj sot në opozitë ne nuk heshtim dhe veprojmë kundër korrupsionit, ndërkaq nesër në qeveri ne do ta ndalim dhe ndalojmë korrupsion”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e 37-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti ka kërkuar mobilizim të anëtarëve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
“Nga lotët e zisë e të krenarisë në këtë 20 vjetorin e pranverës 1999 duhet të kalojmë te entuziazmi e shpresa për 20 vjetët e ardhshme. Duke filluar me zgjedhje të reja për qeveri të re, për qeverisje të re, për kohë të re. Pa hajna në qeveri, pa nazim sahita në polici, pa lepurusha në prokurori, pa monopole në ekonomi, me prodhim e punësim, me drejtësi edhe gjyqësore edhe sociale, pa dallim, pra pa favore e privilegje, pa shfrytëzime e diskriminime”, ka theksuar ai.
Kurti ka folur edhe për zgjedhjet lokale në veri të cilat do të mbahen më 19 maj.
Sipas tij, alternativa më e mirë në këto zgjedhje janë kandidatët e Vetëvendosjes.
“Në datën 19 maj, pra sot dy javë, do të mbahen zgjedhje të pjesshme për kryetarë komunash në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe në gjysmën veriore të Mitrovicës. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternativa, nga njëra anë Lista Serbe dhe PDK-ja, nga ana tjetër, janë kandidatët e Vetëvendosje. Prandaj alternativa e vetme për shqiptarët, për boshnjakët, për romët, për ashkalinjtë, për turqit, e edhe për serbët të cilët duan një jetë normale dhe janë lodhur më kriminelët e Vuçiqit, janë kandidatët tanë”, është shprehur Kurti.
Ai ka rikujtuar se kandidate për Komunën e Zubin Potokut është Liridona Kahrimani, kandidat për kryetar në Komunën e Leposaviqit është Fisnik Veseli, kandidati për Komunën e Zveçanit është Avdi Peci si dhe kandidat për Mitrovicën e Veriut është Erden Atiqi.
/Epoka e re/