Kurti kërkon ndihmë nga opozita për dialogun: Nuk i kemi borxh askujt, na kanë borxh shumëçka

11 qershor 2021 | 12:28

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke raportuar në Kuvendin e  Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti ka folur për disa nga marrëveshjet e arritura më herët, për të cilat pati shumë kritika.

“Dokumenti fillon me paraqitjen e kornizave në të cilat ka filluar procesi i dialogut. Pastaj listohen marrëveshjet e arritura në fazën e dialogut të quajtur teknik, dhe në atë politik. Gjatë këtyre dy fazave janë nënshkruar një sërë dokumentesh që jo-domosdoshmërisht burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që rregullon”.

“Për këto dokumente janë përdorur terma të ndryshme, si marrëveshje, konkluzione, aranzhime, protokolle dhe të ngjashme. Numri i marrëveshjeve varion nga 15 deri në 53”,  ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se në raporte cekej se është arritur shuarja e strukturave paralele dhe institucioneve tjera ilegale.

“Në raportin e vitit 2016 për dialog, konkludohej se është arritur shuarja e strukturave paralele, shuarja e zyrave për dhënien e dokumenteve ilegale etj”.

“Te marrëveshja për Asociacionin, thuhej që nuk ka karakter një-etnik dhe do bëhej sipas Kushtetutës. Për të njëjtën marrëveshje pretendohej se i janë dhënë fund ndërtimeve pa leje në veri dhe ndarjes së Mitrovicës. Është me rëndësi të theksohet se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta”,  është shprehur Kurti,  duke kërkuar konsensus nga opozita.

“Është e rëndësishme që të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne po raportojmë në Kuvend e Komisione ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar liderët e opozitës. Qasjen tonë ndaj dialogut e dini sepse e kam përsëritur disa herë. Pranimi i realitetit të një Kosove të pavarur, barazia e përfaqësuesve dhe qytetarëve dhe pranimi i krimeve në Kosovë janë parimet kryesor. Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pataja është ndër perimet më të pasura me vlera ushqyese.…