Kurti kërkon ndihmën e Turqisë për njohjen e Kosovës nga disa vende të BE-së dhe NATO-s
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar me shefat e disa grupeve parlamentare në Turqi.
Në këto takime të ndara, Kurti ka kërkuar nga Turqia t’i ndihmojë Kosovës për njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht katër vendet e NATO-së të cilat nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Synimi ynë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Duke qenë se pengesa kryesore për anëtarësimin është mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së, përkatësisht 4 shtetet e NATO-s, kërkova që të na ndihmojnë me kontaktet që kanë me partitë simotra në këto vende duke kërkuar nga to që ta njohin shtetin e Kosovës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot, gjatë ditës, së bashku me deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetarin e Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asamblistin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri, takova shefat e grupeve parlamentare të partive kryesore politike në Turqi.
Në takime të ndara takuam shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç dhe deputetët Utku Çakirozer dhe Haluk Koç (CHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Erkan Akçay dhe deputetin Muhammed Levent Bulbul (MHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Av. Bulent Turan.
Në të gjitha këto takime i falënderova për mbështetjen dhe ndihmën e shtetit turk para, gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se Turqia menjëherë njohu Republikën e Kosovës, porsa e shpalli pavarësinë. Biseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës e Turqisë, për mundësitë dhe nevojën e bashkëpunimit ekonomik, përmes investimeve që gjenerojnë punësim në Kosovë, sidomos për rininë dhe gratë.
Synimi ynë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Duke qenë se pengesa kryesore për anëtarësimin është mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së, përkatësisht 4 shtetet e NATO-s, kërkova që të na ndihmojnë me kontaktet që kanë me partitë simotra në këto vende duke kërkuar nga to që ta njohin shtetin e Kosovës.
Me shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Ozkoç u pajtuam që të thellojmë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë koordinimin tonë të përbashkët në Internacionalen Socialiste.
/Epoka e re/