Kurti kërkon nga emisari i BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës

17 mars 2025 | 15:18

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në këtë takimi të parë zyrtar në zyrën e kryeministrit, Kurti e ka uruar Sorensenin për rolin e ri dhe e ka njoftuar me zhvillimet e fundit në vend dhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.

“Kryeministri kërkoi nga emisari Sorensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, ata kanë biseduar edhe për procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës. Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t’i dorëzohet Kosovës për gjykim”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve…