Kurti kërkon nga LDK-ja t’i propozojë emrat për ministra

06 janar 2020 | 13:17

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do të shkojë të presidenti Hashim Thaçi pa marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Ai ka thënë se përkundër përpjekjeve nuk ka mundur të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Pavarësisht kësaj, Kurti ka ftuar LDK-në që t’i propozojë pesë emrat e ministrave nga radhët e kësaj partie.

“Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen Vetëvendosje subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk mu bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”.

“Të dashur qytetarë të Republikës, Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i juaji politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur. Koha që po ikën pa kthim nuk është kohë private e individuale e politikanëve, por është kohë e shtetit dhe kohë publike, e të gjithëve e për të gjithë. I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”, ka thënë Kurti në një video të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/albini2017/videos/471994037060189/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dy orë para takimit…