Kurti kërkon nga policia të jetë në nivel të lartë të detyrës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 23-vjetorin e themelimit të policisë ka përmendur rastin e 11-vjeçares së dhunuar në Prishtinë.
Kurti ka thënë se një vajzë që do të duhej të ishte në bankat shkollore në klasën e pestë ose të gjashtë, ndodhet në strehimore për shkak të dhunimit.
“Javën që shkojë ne u ballafaquam me një rast shumë të rëndë. Një vajzë e mitur që do të duhej të ishte në bankat shkollore në klasën e pestë ose gjashtë ndodhet në strehimore për shkak të një krimi që ndodhi mbi të nga pesë dhunues. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies publike e sociale”, ka thënë Kurti.
Ai i ka bërë thirrje policisë të jetë në nivelin më të lartë të detyrës kudo, në çdo rrugë e çdo cep të vendit.
“Mbani përgjegjësi detyrat tuaja ashtu siç edhe ne si qeveri mbajmë përgjegjësitë e tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar, trasoni rrugë që janë lehtësisht të kalueshme për të gjithë”, ka thënë Kurti.