Kurti kërkon nga presidenti Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në konferencën për media ka theksuar se që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë nisur të vijnë ftesat për komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale.
“Me 3 gusht bëhen katër vjet prej kur u ndryshua Kushtetuta e Kosovës me amandamentin nr.24 për t’i hapur rrugë Speciales e cila hyn brenda trupit të Republikës sonë dhe me kusht që të mbetet sipër saj. Me 82 vota PËR e patën pranuar atë që është e paimagjinueshmja. UÇK-në të cilën e lanë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe jashtë Kushtetutës së Republikës, e futën brenda Gjykatës Speciale! Është mirë që televizioni publik të ritransmetojë seancat plenare të Kuvendit të Republikës të 26 qershorit dhe 3 gushtit 2015”.
“Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe të vendimeve të gabuara vite më parë, kur politikanë përfaqësues, zyrtarë të lartë, që më shumë e deshën vetveten sesa kombin dhe shtetin, Kosovës ia bënë Gjykatën”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se dhjetëra luftëtarë po intervistohen.
Dhe sipas Kurtit, nuk dihet kush do të akuzohet. “Askush nuk e din këtë. Ish-kryeministri Haradinaj as nuk është arrestuar dhe as nuk është akuzuar. Pra, ish-kryeministri as nuk është në burg dhe as nuk ka aktakuzë. Do të intervistohet nga prokuroria e specializuar si dhjetëra luftëtarë e komandantë të tjerë. Që nga Rrustem Mustafa – Remi, komandant i ZO të Llapit, te Sylejman Selimi, komandant i përgjithshëm i UÇK-së, e deri te Sokol Dobruna, kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, tashmë që të gjitha këta e shumë janë intervistuar. Duket se janë intervistuar edhe politikanë të tjerë e zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët nuk kanë preferuar që kjo gjë të jetë apo të bëhet publike”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se: “Se a intervistohesh nga Prokurori i Specializuar si kryeministër apo si u.d. i kryeminitsrit, kjo s’përbën dallim për Gjykatën Speciale. Dallimi është në Kosovë, jo në Hagë. Nuk e kemi më një qeveri që ishte e mbrapshtë dhe e pashpresë ashtu siç ishte e madhe. Tash shpresa është te ndryshimi, te zgjedhjet, te liria, te demokracia, te vetëvendosja”, ka thënë Kurti.
Lideri i LV-së ka theksuar se ish-kryeministrin Haradinaj e ka paralajmëruar disa herë shumë herët, se sa më afër gjarpërit, aq më i rrezikuar është.
“Rexhep Selimi e pat paralajmëruar ish kryeministrin që të ketë kujdes nga puthja e gjarpërit, mirëpo e mbani mend se si ai u pat shfryrë kundër Rexhep Selimit në një seancë plenare. Po të mos kalonte demarkacioni i gabueshëm me Malin e Zi, do të binte presidenti Thaçi. Deri më 21 mars të vitit të kaluar, Haradinaj e kishte kapur gjarpërin për koke. Pas 21 marsit 2018 kur u ratifikua demarkacioni ‘Meha’, Haradinaj e mbante gjarpërin për bishti”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se presidenti Thaçi duhet të thërrasë takim për të caktuar datën e zgjedhjeve.
“I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen”, ka thënë Kurti.