Kurti kërkon njohjen e pavarësisë nga Greqia
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të cilit i ka kërkuar njohjen e Kosovës nga shteti grek.
“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane dhe euroatlantike”, ka njoftuar zyra e kryeministrit Kurti.
Sipas këtij njoftimi, kryeministri Kurti e ka falënderuar ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecias.