Kurti kërkon votën e qytetarëve të Besianës më 6 tetor
Lëvizja Vetëvendosje në sheshin ‘Ali Ajeti’ në Besianë tubimin e radhës elektoral.
Kandidati për kryeministër Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi se dija, puna, toka, kultura dhe sporti nuk do të kenë asnjë mbështetje mangut nga qeveria e drejtuar prej tij.
Për rivalët politik, Kurti tha se, “sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën”, për të shtuar më tutje se, “ata që e kanë trurin asfalt natyrisht që mund të na sjellin asfalt, por pa tru”.
Ndërkohë, në Kosovën me 18% të popullsisë në varfëri ekstreme, Kurti u zotua se motoja e tyre është, “asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar”.
Kandidati për deputet nga Llapi, Ajet Potera, u bëri thirrje të pranishmëve që të mos e humbin shansin e artë e historik të 6 tetorit që ta ndalim qeverisjen e mbrapshtë e ta kthejmë qytetarin në qeverisje.
“Asnjë integrim nuk është i mundur në një shtet të kapur. Mirëpo, erdhi dita që Kosova të jetë shtet i integruar në vete më së pari, pra si shtet me integritet”, thirri ish-ushtari i UÇK-së, Potera.
Sipas kandidatit tjetër llapjan, Sabri Kiçmari, Lëvizja është e njëjta përpjekje si përpjekjet e tij me shokë në vitin ’89 për Kosovën Republikë, për liri, barazi, demokraci e VETËVENDOSJE!.
Veprimtari i kahmotshëm i çeshtjes kombëtare, Kiçmari vendosi theksin se: “jemi mbledhur për të dhënë një fjalë e për të vendosur një besë, se do të votojmë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin si kryeministër, sepse në këtë mënyrë do të ndërtojmë të kaluarën dhe do të ndërtojmë të ardhmen”.
Kandidatja tjetër për deputet Saranda Bogujevci rreshtoi masat e Lëvizjes për të mbështetur investimet e komunave në ujë të pijshëm, arsim, mjedis, kulturë e infrastrukturë.
Ndërsa për kandidatin tjetër, profesorin universitar, Shpejtim Bulliqin, Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.