Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme në vend, duke shprehur përkrahje për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.
Kurti në profilin e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo qeveri ka rënë moralisht, duke shtuar se ajo duhet të bie edhe me numra.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
U bënë katër javë prej se Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka shprehur qëndrimin e saj se kjo qeveri ka rënë moralisht dhe ajo duhet të bie edhe me numra.
Nenad Rikallo e Milan Radojçiq, shtimi enorm i posteve qeveritare dhe rritja e pagave vetvetes, diskreditimi i arsimit tonë nga BE-ja dhe rritja e papunësisë, Contour Global dhe ‘Demarkacioni’, e deri të dëbimi tinëz, në shkelje të ligjit e të drejtave të njeriut i 6 shtetasve turq, përgjegjësinë për të cilin nuk po e merr asnjë institucion i Kosovës, janë vetëm disa prej arsyeve pse kjo qeveri e shtrenjtë duhet të largohet.
Interpelancat për temat e ndryshme dhe Komisionet Hetimore Parlamentare që kemi inicuar janë dëshmi e opozitarizmit tonë dhe dëmeve të kësaj qeverie që duhet të shkojë.
LV është për zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më parë dhe për mocion për rrëzimin e qeverisë.
Shumica dërrmuese e popullit dhe shumica e deputetëve të Kuvendit janë në opozitë me këtë qeveri. Mbetja e kësaj qeverie në pushtet është dhunim i demokracisë qytetare e parlamentare, i vullnetit të popullit e i interesit të përgjithshëm.
Nuk mund të mbetet shteti e populli peng as të qejfit të kryeministrit dhe as të frikës së presidentit.