Kurti: Kërkuam të shtohen trupat e NATO-s kur i kemi parë grupet “Ujqit e Natës” dhe Wanger-in në kufi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se kanë shprehur interesim që të sillen ushtarë shtesë në Kosovë, ai shtoi se megjithatë i takon KFOR-it dhe NATO-së të vendos kur, sa dhe si do të sillen ushtarë shtesë në Kosovë.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë, interesimin megjithatë i takon KFOR-it dhe NATO-së se kur dhe sa e si do të sillen ushtarë shtesë në Kosovë. Mos të harrojmë që Kosova po investon vetë në mbrojtje.
Kur kemi parë grupe militare, pro ruse si Ujqit e Natës dhe mercenarët e Vagnerit në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë me shenjat e tyre dhe me parullat që thoshin ‘Lutuni zotit dhe mbahuni te Rusia’, kur kësaj i shtohet fakti që Serbia ka kërkuar që të kthehen 1000 ushtarët në Kosovë, pikërisht është e rëndësishme të shtohet numri i ushtarëve të NATO-së. Natyrisht këto janë vendime që merren diku tjetër, ndërkaq natyrisht se Serbia mori përgjigje negative nga KFOR-i”, tha Kurti në RTK.
Ndryshe, nga KFOR-i kishin deklaruar se s’kanë marrë kërkesë zyrtare për një kërkesë të tillë.
“Nuk ka pasur një kërkesë të tillë. Vendimet për madhësinë dhe strukturën e forcave merren nga Aleatët e NATO-s, bazuar në këshillat e komandantëve tanë ushtarakë. KFOR-i ka rritur praninë dhe patrullimet e tij në veri të Kosovës që nga tetori, dhe mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin e tij në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.
Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte. Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik” – thuhet në përgjigjen nga NATO.