Kurti: Këtë vit buxheti për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë ishte 3 milionë euro
Kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se tre milionë euro ka qenë buxheti i programit për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë në komuna këtë vit.
“Në ndërtim e sipër janë 57 shtëpi. Krahas tyre, punimet janë duke u zhvilluar edhe për renovimin e 230 shtëpive tjera. Dje, me ministrin Krasniqi vizituam dhe takuam familjen Palmar nga komuniteti boshnjak, familjen Hagjijaj nga komuniteti rom, dhe familjen Saku nga komuniteti egjiptian. Të tria përfituese nga mbështetja e Qeverisë sonë që së shpejti do të gëzojnë shtëpi të reja, sepse meritojnë banim të dinjitetshëm”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se ky program do të vazhdojë edhe me thirrjen e dytë vitin e ardhshëm, për të cilën tashmë kanë ndarë buxhet në vlerë prej tre milionë euro.
“Kosova, republikë e të gjithëve”, ka shkruar Kurti.