Kurti: Kjo periudhë kohore do të pasohet me përkujtime të shumë dëshmorëve e martirëve të rënë në luftë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në praninë e familjes Berisha, si dhe invalidëve, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të kujtuar veprimtarinë e intelektualit dhe heroit, Selim Berisha, njofton kumtesa nga Kryeministria.
“Profesori shqiptar i historisë përballë policit armik të Serbisë”, është epiteti me të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi heroin Selim Berisha, duke përmendur para të pranishmëve frymëzimin dhe trimërinë e tij, vlera me të cilat mëshironte edhe narracionet historike e shpjegimet para nxënësve.
Në vitin i cili shënon 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kryeministri veçoi se kjo periudhë kohore do të pasohet me përkujtime për shumë dëshmorë e martirë të rënë në beteja, si dhe viktima civile të vrara gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1999, përfshirë edhe këtë akademi të sotme në nder të dëshmorit, Selim Berisha.
“Deri sot, dëshmorit Selim Berisha i janë njohur të gjitha meritat dhe i janë akorduar të gjitha mirënjohjet dhe titujt nga shoqëria dhe nga shteti: që nga ai i “Dëshmori të Kombit” më 2017 dhe deri te urdhri “Hero i Kosovës” më 2019”, u shpreh kryeministri.
Më tej, ai tha se historia dhe kontributi i profesorit Berisha, janë përcjellë gjithmonë nga fryma kombëtare, deri në 20 marsin e 1999-tës kur u gjend i pozicionuar dhe i armatosur në katin e dytë të shtëpisë së tij, duke pritur policët të afroheshin dhe duke qëlluar e qëndruar me aq municion sa kishte, derisa ra dëshmor si një profesor e edukator brezash për histori, dhe si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtuese, u promovua edhe libri monografik i cili përmbledh shumë artikuj gazetash, profile biografike, faksimile dokumentesh dhe fotografi të ndryshme të mbledhura dhe kuruara nga autori Zymer Mehani, me titull “Dëshmori Selim Berisha: Profesori që frymëzonte brezat”.