Kurti: Komuniteti shqiptar në Serbi duhet ta ketë vëmendjen e njëjtë si ai serb në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se komuniteti shqiptar në Serbi, duhet ta ketë vëmendjen e njëjtë siç e ka komuniteti serb në Kosovë.
Kurti në një postim në platformën “X” ka folur për shkeljet e të drejtave që iu bëhen shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu pasivizimin e adresave.
“Komuniteti shqiptar në Serbi duhet të ketë vëmendjen e njëjtë si komuniteti serb në Kosovë. Kjo është premisa për të drejtat e minoriteteve – se etniteti nuk mund dhe nuk duhet të determinojë vlerën tuaj në një shtet. 6000 shqiptarë etnikë (siç është raportuar nga dr. Flora Ferati Sachsenmaier) janë larguar ilegalisht nga listat e votuesve dhe nuk mund të votojnë, punojnë, blejnë pronë apo t’i dërgojnë fëmijët në shkollë. As qyteti i Preshevës e as Bujanoci në Serbi – popullata e të cilave është mbi 70 për qind shqiptarë – nuk kanë spital. Banorët janë të detyruar të shkojnë në qytetin fqinj, Vranjë, ku nga 700 të punësuar, nuk është asnjë shqiptar”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, Kurti ka treguar se në një konkurs së fundi për mjek “10 persona aplikuan, nëntë shqiptarë e një serb dhe u punësua i fundit”.
“Është vetëm një nga shembujt e diskriminimit antishqiptar”, ka shkruar Kurti.