Kurti: Kosova bëri hap të rëndësishëm drejt NATO-s, përkundër fushatës së Serbisë
Pas votimit të suksesshëm për avancimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s prej pozicionit të një vëzhguese të thjeshtë në anëtare të asocuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar partnerët perëndimorë për qëndrimin në krah të Kosovës.
Ai ka thënë se ky vendim është hap i rëndësishëm në integrimin euroatlantik të Kosovës.
“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë. Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.