Kurti: Kosova është konstruktive në dialog, normalizimi me njohjen në qendër
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit të dy kanë mbajtur një konferencë për medie.
Kurti i ka uruar mirëseardhje në Prishtinë Escobarit, duke theksuar se është një kontribuues i madh për paqen, sigurinë dhe demokratizimin jo vetëm të Kosovës por të gjithë rajonit.
Ai ka treguar se me zyrtarin e lartë amerikan kanë folur për raportet e dy vendeve, për temat aktuale në Kosovë si energjia dhe dialogu me Serbinë, shkruan “Epoka e re”.
Kryeministri Kurti ka thënë se Republika e Kosovës ka treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.
“Me Escobarin folëm për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet vendeve tona, për progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimi me krizën energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e për procesin e dialogut dhe rrugën përpara. Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japin, Republika e Kosovës ka treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi në gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe mbështetjen e ShBA-ve në këtë proces. Me ShBA-të jemi aleatë në vlera dhe partnerë në qëllime. Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me ShBA-të, me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në vendosjen e sanksioneve kundër federatës ruse dhe në mbështetje të parezervë për Ukrainën dhe popullin e saj përbëjnë dëshmi të aleancës dhe partneritetit tonë dhe në të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët që nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës”, ka thënë Kurti.