Kurti: Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, deputeti britanik, njëherësh sekretar i shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Në bashkëbisedimin e ngrohtë, kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook. Kryeministri e falënderoi z. Lammy për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës”, është bërë me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë takim theksohet se kryeministri Kurti ka folur për progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë Covid-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme.
“Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring”, theksoi kryeministri.
Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.
Ndërsa Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.
Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.
Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit.