Kurti: Kosova mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës
Qeveria e Kosoves mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e Qeverisë sa i përket situatës në Ukrainë, Kurti tha se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.
Më 21 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i njohu rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck, si entitete të pavarura.
Putin urdhëroi edhe vendosjen e trupave ruse atje.
Vendet e Perëndimit dhe të tjera i dënuan këto veprime dhe paralajmëruan sanksione kundër Rusisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë reagoi në “Twitter”, duke thënë se Putin ka bërë dhe po bën luftëra kundër demokracisë në Evropë.
“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putin, edhe një herë, po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Deputeti opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se Kosova duhet të ndjekë veprimet e SHBA-së.
“Qeveria duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë. Nëse SHBA-ja vendos sanksione, sot Qeveria e Kosovës duhet të vendosë sanksione”, tha ai.