Kurti kritikon BE-në dhe shpreh ngjashmëri me politikën e Trump
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e zhvilluar me prestigjiozen britanike Financial Times, foli edhe për administratën e ardhshme në SHBA. Ndonëse dihet çfarë raportesh ka pasur Qeveria Kurti 1 me administratën Trump gjatë vitit 2020, Kurti tha se ai është i gatshëm të punojë me këdo, përcjell Gazeta Metro.
Madje, për të shkuar edhe më tej, ai tha se Prishtina ka ngjashmëri me qasjen e administratës potenciale Trump.
“Kurti tha se do të punonte me këdo që do ta merrte Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në dukje se Prishtina kishte gjuhë të përbashkët me një administratë potenciale të Trump, duke përfshirë thirrjet për rritjen e shpenzimeve europiane në mbrojtje”, shkruan FT.
Aq larg kishte shkuar Kurti atëbotë, në veçanti pas shkarkimit të tij nga Kuvendi i Kosovës, saqë në vjeshtë kishte dalë me thirrje publike që shqiptaro-amerikanët në zgjedhjet e nëntorit 2020 të votonin për kundërkandidatin e ish-presidentit Trump, Joe Biden.